ReMusica - Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës

ReMusica 2018

EDITORIAL

Duke e ruajtur fizionominë e saj, të bazuar në gërshetimin e muzikës së re me atë të epokave të tjera, ato të barokut, klasicizmit dhe të romantizmit, Edicioni i 17 me rradhë i ReMusica-s sivjet bën një shtrirje më të madhe, duke u zgjëruar edhe në disa fusha të tjera të artit por edhe duke synuar diversifikimin e mëtejmë të publikut. Edicionin e sivjemë, më 27 maj, do ta hap kitaristi i mirënjohur kosovar Petrit Çeku, i cilësuar në shtypin e shumë qendrave botërore si “gjeniu i kitarës”. Ai kësaj rradhe paraqitet në duo me Marc Bouchkov, violinist virtuoz belg, i cili është duke pushtuar furishëm sallat prestigjioze europiane duke bashkëpunuar me orkestrat më me nam të Europës, si Orkestra Nacionale të Belgjikës, Orkestra e Brukselit, Orkestra e Moskës, etj. Ata do të shpalosin një literaturë të veçantë, gjithnjë e më të preferuar në jetën muzikore të sotme, të shkruar për këto dy instrumente. Nata e dytë do t’i takoj sekstetit vokal proMODERN nga Polonia, që shquhet me një këndim të rafinuar, stilistikisht të diferencuar dhe me kulturë të lartë vokale. Ata do ta shfaqin projektin e tyre Shakespired, të sajuar prej veprave të stilit të barokut, me sonetat e Shekspirit, që gërsheton poezinë e shekullit 16 dhe muzikën moderne. Frymën e barokut edhe këtë vit do e sjell ansambli i përbërë prej solistëve tanë të talentuar vokal, në koncertin vijues të quajtur Prishtina Baroque Night. Ky ansambël tash e disa vite paraqitet në ReMusica dhe ngadal por bindshëm është duke u formësuar si një ansambël kompakt dhe atraktiv i përkushtuar në mënyrë specifike muzikës së barokut. Nata Shqiptare, segment i pandashëm tematik i festivalit, këtë vit sjell në pah autorët dhe interpretët nga Kosova dhe Shqipëria. Programi i këtij koncerti është i ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: a) Vepra pianistike dhe kamertale të autorëve tanë, b) Vepra për instrumente frymore, interpretuar nga kuinteti All about wind… instruments! dhe c) Vepra korale të autorëve tanë interpretuar nga Siparantum Choir nga Peja. ReMusica Junior dhe Nata Akusmatike edhe këtë vit synojnë promovimin e muzikës akusmatike dhe botës tingullore të saj. Programi është i përbërë nga veprat e kompozitores Donika Rudi, të cilat zbulojnë strukturat dhe shtresat tingullore në hapësirë.

Këtë vit ReMusica, krahas koncerteve të mbrëmjes, sjell segmente të reja përmbajtësore dhe programe shtesë, si ‘ReMusica Edukative’, ku publiku në mënyrë të drejtpërdrejtë do të jetë afër me muzikën, interpretin, instrumentin dhe kompozitorin duke u njohur me zejen dhe teknikën e zejes së tyre. Publiku, i përbërë prej fëmijëve trevjeçar e tutje, do ta ketë mundësinë të shijojë koncertet e shkurtëra dedikuar instrumenteve të veçanta. ‘ReMusica Virtuale’ në fokus ka inovacionin dhe zhvillimet e fundit të teknologjisë së përdorur në muzikë, andaj ReMusica sjell një aktivitet specifik që ka për synim që nëpërmjet syzeve të Realitetit Virtual (Virtual Reality) të projektoj publikun në mënyrë virtuale, në koncertet e skenave të mëdha botërore. Programi tjetër shtesë është ‘ReMusica n’Shesh’ që synon të përafroj publikun e gjerë me muzikën në këndin e festivalit në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku për çdo ditë për dy orë rresht, do të ketë dëgjim të muzikës klasike dhe njëkohësisht publiku do të ketë mundësi të dëgjoj dhe të merr informacione direkt nga artistët që do të performojnë në netët kryesore, të mbrëmjes, të ReMusica-s. Në zgjërimin e saj pëmbajtësor festivali sivjet promovon programin ‘PRE ReMusica’, në të cilin do të shfaqet filmi dokumentar “Sarabandë”, me regji të autores Kaltrina Krasniqi, ku ajo në mënyrë origjinale e portretizon virtuozin Petrit Çeku gjatë inçizimeve të Suitave të Bahut në një Studio në Spanjë në vitin 2014.

Koncertet në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës mbesin të çmueshme dhe shumë të veçanta të programit tonë. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës me solist Marc Bouchkov dhe dirigjentin Toshio Yanagisawa, sjellin repertoar nga epoka të ndryshme. Kurse Kori i Filharmonisë së Kosovës me dirigjentin Rafet Rudi sjellin një program ta përpiluar kryesisht me vepra të autorëve shqiptarë, të prezentuara me shumë sukses ditë më parë në turneun e këtij ansambli në Angli.

Në ReMusica gjithmonë i është dhënë rëndësi diskutimit të çështjeve të rëndësishme, andaj festivali vendosë që nivelin e diskutimit ta ngritë në nivel ndërkombëtar, duke sjellë përfaqësues të institucioneve muzikore kyçe nga Europa dhe rajoni, me fokus në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Së fundmi, sivjet ReMusica theksin e ka në krijimtarinë e kompozitorëve kosovar andaj edhe do të sjellë për çdo natë vepra të autorëve kosovarë, me fokus në përvjetorët e dy kompozitorëve tanë të çmuar, 95 vjetorin e lindjes së Rexho Mulliqit dhe 60 vjetorin e lindjes së Mendi Mengjiqit.