ReMusica Festival

ReMusica 2017

EDITORIAL

Edicioni i 16 i ReMusica-s vazhdon rrugëtimin duke i qëndruar besnike fizionomisë saj të përhershme, duke sjellë rryma të ndryshme stilistike. Një ndër shtyllat kryesore të këtij viti është fokusi në muzikën vokale dhe muzikën e vjetër e cila konsiderojmë është shumë e pakët dhe pothuajse tërësisht nën hije dhe jashtë fokusit të skenave tona muzikore. Megjithatë, vend të veçantë në ReMusica sivjet do zë koncerti “Jehonë Barokiene” i shtatë artistëve tanë të rinj, të nxitur nga Safet Berisha dhe Kaltrina Miftari, artistë që po dallohen me përkushtimin e tyre në kultivimin e këtij zhanëri të veçantë dhe specifik.

Gjithsesi, prestigjin e edicionit të sivjemë e ruajnë dy solistët e shkëlqyeshëm: kornisti çek Premysl Vojta i cili është fitues i shumë çmimeve të ndryshme ndërkombëtare, ndër to çmimi i Parë në garën Ndërkombëtare ARD (gara ndërkombëtare e muzikës klasike me e rëndësishme në Gjermani). Vojta përpos recitalit të tij, do ta mbyllë këtë Edicion të ReMusica-s në koncertin bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të Filharmonisë së Kosovës. Violinist Kristi Gjezi, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe violinist i parë i Orkestrës Filharmonike të Monte Karlos, do të vie në bashkëpunim me Korin e Filharmonisë së Kosovës me dirigjent Rafet Rudin. Kori i FIlharmonisë sivjet paraqitet me program a capella, ku dominojnë  veprat moderne të kompozitorëve të rinj kosovarë, deri te vepra e kompozitorit Rudi në bashkëpunim me violinistin Gjezi,.

Risi e Festivalit ReMusica këtë vit është bashkëpunimi me teatrin muzikor “Via Berlin” të cilët dëshmojnë se teksti, muzika, aktori dhe muzicienti, mund të jenë mjete thelbësisht të barabarta në një realizim skenik. Teksti thjesht ofron skicën e storjes, lokacionin dhe karakteret, përderisa imazhet dhe muzika plotësojnë pjesën e mbetur. Shfaqja muzikore “Breaking the Silence” do të vjen për publikun kosovar në një formë ende të padëgjuar dhe paparë tek ne, nën e interpretimin e kuartetit shumë të çmuar të saksofonëve nga Amsterdami “Berlage Saxophone Quartett”, të cilët përpos çmimeve të para në Selmer Saxophonquartett Wettbewerb, Chamber Music Competition të Storioni Festival, apo çmimi prestigjoz Kersjes Prijs në Concertgebouw në Amsterdam, ansambli mblodhi rreth vetës publikë nëpërmjet entuziazmit infektues të tyre, sharmin natyral dhe muzikalitetin intensiv të performancave të tyre. Në këtë Edicion të ReMusica-s do të ketë një numër të madh të premierave të kompozitorëve kosovar, kjo edhe është karakteristika e përhershme e Festivalit, që arrinë ta stimuloj dhe vë në pah krijimtarinë vendore. Koncertet e përvitshme të ReMusica-s, si nata dedikuar muzikës akusmatike dhe programit të fëmijëve ReMusica Junior (Bota e tingujve) nuk do të mungojnë. Si gjithmonë, përpos aktiviteteve koncertale, në kuadër të Festivalit do të realizohen një mori masterkursesh, punëtori dhe Tribuna Muzikologjike / Debat mbi “Kritikën muzikore sot”, me të ftuarit e mediumeve shqiptare Kosovë- Shqipëri.