Fizionomia e re e REMUSICA-s REMUSICA
REMUSICA fillon dhjetevjetëshin e dytë me ndryshime në fizionominë e saj. Ajo sivjet e zgjeron fokusin e interesimit
edhe te muzika klasike. Kronistët më të kujdesshëm të REMUSICA-s kanë vërejtur se në vitet e fundit në koncertet e
Festivalit ka pasur vepra edhe të epokave të tjera stilistike (të renesancës, barokut, klasicizmit, romantizmit etj.). Ato kanë
qenë vepra të zgjedhura enkas, me të cilat është synuar të bëhet një paralele e kuptueshme dhe logjike në mes muzikës
bashkëkohore dhe asaj klasike. Mbi këtë tendencë të filluar dytre vite më parë mbështetet dhe fizionomia e re e REMUSICA-s.
Së këndejmi, Festivali tash ndërtohet mbi tri komponente:
a) mbi muzikën bashkëkohore;
b) muzikën e kompozitorëve kosovarë dhe
c) mbi muzikën e epokave të vjetra stilistike (shekulli XVII-XIX).
Karakteristikë e programit të sivjetshëm është pjesëmarrja e disa instrumentistëve virtuozë me renome ndërkombëtare.
Kështu, në natën e parë, paraqitet bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, trompetisti Romain Leleu, i
shpallur më 2009 si instrumentist/virtuoz i vitit në Francë.
Nata e dytë i është besuar violonçelistit nga Italia Roberto Trainini, programi i të cilit është përplot me vepra virtuoze,
si Suita e Bach-ut, Sonata e Ysaÿe-it, Kapriçot e Paganini-t, kurse në pjesën e dytë të programit ky artist do të luajë me
atistët tanë (B. Grubi dhe M. Kaçamaku) Trion e Brahms-it.
Koncerti i Korit, i cili do të mbahet në Kishën Shën Ndou, në Prishitnë, më 24 maj, risi ka performimin me artisten tonë me
renome, Sihana Badivuku. Të premten (25 maj), paraqitet një Trio nga Gjermania, në të cilën shquhet sopranoja
Sabine Lutzenberger, e perfeksionuar për muzikën e vjetër (të renesancës dhe barokut). Trioja (Ch. Elin saksofon, W.
Oettl, piano dhe S. Lutzenberger) ka në program vepra të kompozitorëvë eminentë bashkëkohorë, krahas Monteverdi-t
dhe Frescobaldi-t. Nata e 26 majit është e rezervuar për artistët kosovarë (B. Grubi, B. Llugiqi, F. Goranci, D. Gjinolli,
P. Gurralumi).
27 maji i është dedikuar kompozitorit francez Claude Debussy.
Pos Tribunës muzikologjike (me muzikologët Manfredo Gambini dhe Dai Lihn Nguyen) që i kushtohet këtij
kompozitori, do të mbahet dhe Recitali i pianistes sonë Yllka Istrefi, e cila është duke bërë karierë të shquar në Britaninë
e Madhe. Po atë mbrëmje (në orën 22), është paraparë koncerti i muzikës elektronike (Federico Orsini dhe Donika
Rudi). Mbrëmja e fundit i kushtohet artistëve eminentë nga Bullgaria dhe Greqia, flautistes më të njohur bullgare Lydia
Oshavkova dhe pianistit grek Angelos Tsanakas.
Festivali i sivjetshëm, që mbahet në shenjë të 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar, me 20 maj, në orën 12 (Swiss
Diamond) ka paraparë promovimin e CD-së senzacionale me audio-regjistrimet e para të muzikës shqiptare, të bëra në vitin
1903 /referues Ardian Ahmedaja, Vienë/, e cila vjen te ne për herë të parë.
Rafet RUDI