Festivali i Muzikës së Re “ReMusica” është formuar në vitin 2002 me synim që publikut kosovar t’i prezantojë të gjitha tendencat stilistike të shfaqura në muzikë që nga fillimi
i shekullit XX deri në ditët e sotme dhe të popullarizoj muzikën bashkëkohore. Sivjet mbahet edicioni i pestë i tij.
Duke pasur karakter të mirëfilltë ndërkombëtar, festivali, për këto pesë vite, mblodhi ansamble dhe artistë me renome të lartë ndërkombëtare. Në programet e koncerteve të tyre, ata rëndom inkuadrojnë edhe veprat e kompozitorëve kosovarë. Këtë ne e konsiderojmë një dimension të rëndësishëm të festivalit. Në të vërtet karakterin ndërkombëtar të festivalit ne e ndjejmë si shansë për krijuesit tanë që ata të prezentojnë krijimtarinë e tyre në një konkurencë prestigjioze, të dëshmojnë potencialin e tyre por, pse jo, edhe të rishikojnë nivelin artistik të veprës së tyre. Në këtë mënyrë bëhet hapja e kulturës sonë dhe shkëmbimin e saj me vlerat e mirëfillta europiane. Këtë rrugë ne e kemi zgjedhur, ndonëse jemi të vetëdijshëm se vlerat tona gjithmonë nuk do të zënë vendin që ne e kemi imagjinuar apo dëshiruar për të; kultura jonë do të pësojë zhgënjime fillestare krejtësisht të kuptueshme, por njëkohësisht ajo do ta kuptojë se kjo /rrugë/ njëkohësisht është një këndellje e domosdoshme shpirtërore, një vetëdijësim që t’a tejkalojmë qarkun provincial në të cilin është gjendur padrejtësisht ajo. Pra, për aq shpejtësi sa ne e
tejkalojmë këtë qark lokal (provincial), për aq edhe familja e madhe e kulturave europiane do të na pranojë si të veten.
Të prirur nga ky qëllim, edicionin e sivjemë të festivalit ne, mënyrë programore, e kemi përmbushur me emra të rëndësishme dhe autoritative europiane. Kështë në natën e parë do të dëgjomë njërin prej ansambleve momentalisht më në zë të muzikës moderne europiane – Kuartetin Mondrian nga Amsterdami. Ky ansambël, me spektaklin “Eraritjaritjaka” e kompozitorit Heiner Goebbels, është sot prezent në të gjitha sallat prestigjioze të botës. Publiku do të ketë rast të shoh njërin prej violinistëve më të mirë britanik Peter Shepard Skaeverd me shoqëruesin e tij të përhershëm Aaron Shorr, pastaj artistët tejet premtues të muzikës së sotme françeze – Christophe Mourgiard dhe Pascal Godart, fituesit e konkurseve prestigjioze europiane; kompozitoren autoritative dhe nismëtaren e muzikës elektronike (akusmatike) në Belgjikë, zonjën Annette Vande Gorne publiku ynë do të dëgjojë në performansën e saj autoriale. Kurse, pasurimin e vërtet
programor sivjet e bëjmë me Korin madrigalist bullgar, në koncertin e të cilit madje do të dëgjojmë 4 vepra të autorëve shqiptarë. Në dy mbrëmjet e fundit do të kemi një prezentim të Muzikës ballkanike të përfshirë në dy koncerte të tërë.
Që nga festivali i kaluar, në programin e koncerteve të festivalit, kemi ngërthyer në një masë të matur edhe muzikën e epokave të tjera stilistike, me çka festivali bën një paralele kuptimore të muzikës së re me muzikën e shkuar. Këtë dimension të ri të festivalit ne sivjet do ta pasurojmë duke futur edhe disa vepra të Moxartit me çka në mënyrë specifike festivali e shenon “vitin e Moxartit”.
Si edhe viteve të kaluara kujdes i kemi kushtuar veprave të kompozitorëve shqiptarë. Sivjet do të realizohen rreth 30 vepra të autorëve kosovarë të të gjitha gjeneratave. Ndër to vend të rëndësishëm do të zënë veprat e kompozitorit (sapo) të ndjerë Esat Rizvanollit. Do të shenojmë 70 vjetorin e lindjes së kompozitorit Fahri Beqiri. Në festival do të prezentohet një numër i madh instrumentistësh të njohur kosovarë dhe nje mori krijuesish të gjeneratës më të re kosovare, me çka ky manifestim i madh muzikor bëhet tribunë representative e kulturës kosovare drejtuar botës.
Rafet RUDI, kompozitor