“Sounding Architecture – Arkitekturë tingullore”
Punëtori mbi relevancën e tingujve dhe peizazhit tingullor në arkitekturë dhe art / Workshop on the relevance of Sounds and Soundscapes in Architecture and Art
Tutorët: Holger Maik Mertin, artist tingullor (Gjermani) & Dr. Rozafa Basha arkitekte dhe mësimdhënëse në UP (Kosovë)
Punëtoria ka për qëllim eksplorimin e elementeve të sferës tingullore, përjetimit të hapësirës dhe arkitekturës përmes tingujve. Punëtoria i dedikohet studentëve të arkitekturës dhe muzikës të Universitetit të Prishtinës.
Në kuadër të punëtorisë njëditore do të eksplorohet peizazhi tingullor i hapësirave të hapura urbane dhe atyre të mbyllura në qytetin e Prishtinës. Peizazhi tingullor është pjesë e patjetërsueshme e përvojës urbane dhe hapësinore, gjegjësisht, tingujt luajnë një rol të rëndësishëm në perceptim dhe ndikojnë në shfrytëzimin dhe vlerësimin e hapësirës publike dhe arkitekturës. Duke i pasur parasysh këto, punëtoria ka për qëllim që të adresojë çështjet që ndërlidhen me sferën tingullore në mjedisin e ndërtuar. Qëllimi i saj është edhe të mësojë si të dallojmë elementet dhe dimensionet e ndryshme zanore në hapësirën urbane. Në veçanti do të adresojmë pyetjet vijuese: Cilat janë elementet përbërëse të peizazhit tingullor? Si të veprojmë me tingujt e mirë dhe zhurmat në mjedisin ndërtues? Çfarë tingujsh prodhojnë materialet e ndryshme, si betoni, metali, guri, qelqi apo druri? Si tingëllojnë hapësirat e ndryshme arkitekturale?
Punëtoria organizohet në partneritet me Fakultetin e Arkitekturës dhe Fakultetin e Arteve, Departamentin e Muzikës të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”
__
Holger Maik Mertin është artist tingullor dhe i lëvizjeve, si dhe aktivist i qëndrueshmërisë nga Këlni i Gjermanisë. Ai e kthen një hapësirë arkitekturale në instrument muzikor. Për 10 vite ligjëroi dhe hulumtoi në fushën e semiotikës së tingujve në kuadër të projekteve interdisiplinare në Universitetin e Këlnit. Ai bashkëpunoi me muzicientë/ artistë si: Eberhard Kranemann (ex Kraftwerk), Jaki Liebezeit (Can), WDR Radio Orkestrën e Këlnit dhe Teatrin e Baletit Pforzheim.
Dr. Rozafa Basha është arkitekte dhe dizajnere urbane, që ligjëron në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës. E arsimuar në Prishtinë (Kosovë), Lund (Suedi) dhe Tiranë (Shqipëri), interesimet kryesore kërkimore të saj lidhen me dimensionin social të projektimit arkitektonik, projektimin e objekteve banuese, qasshmërinë e mjedisit të ndërtuar, etj.
Kjo punëtori është pjesë e projektit “Path – Finding – Travel” mbështetur nga Ministerium fuer Kultur und Wissenschaft des Landes Nordrhein/Westfalen