ReMusica - Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës

ReMusica 2007

Imperativ i festivalit “ReMusica” mbetet kërkimi i formave të reja të komunikimit të ambientit kulturor kosovar dhe krijuesve të tij me vlerat e mirëfillta europiane, me krijimtarinë e mirëfillt muzikore të modernës europiane, para se gjithash me tendencat e saj të reja. Në pesë edicionet e mëparshme të ReMusica-s, artistët e mëdhenj europian dhe botëror, pjesmarrës të festivalit, kanë futur në programet e tyre vepra të kompozitorëve kosovarë, të cilat, siç marrim vesh nga programet e tyre të mëvonshme, mbeten shpesh në repertorin standard të tyre koncertal. Gjithashtu edhe instrumentistët tanë fitojnë rast që të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe ballafaqohen me emra eminentë të huaj.
Së këndejmi, nga kjo përfojë e fituar, jemi bindur në fuqinë komunikuese të kulturës kosovare. Sivjet në këtë drejtim “ReMusica” ka bërë një hap para. Ajo ka porositur nga kompozitorë të rëndësishëm europian (nga kompozitori eminent anglez Michael Finnissy, kompozitori italian Giovanni Mancuso, kompozitori bullgar Velimir Zaimov), që të shkruajnë vepra origjinale të bazuar në folklorin shqiptar, pikërisht në Iso-polifoninë shqiptare. Veprat e tyre, bashkë më krijimet e reja të kompozitorëve tanë të bazuar në këtë këndim specifik shqiptar, do të realizohen në koncertin inagurial të festivalit (14 maj). Njëkohësisht, me këtë koncert në të cilin do të prezentohet edhe Grupi tradicional nga Shqipëria “Fyejt e Gramshit” i sygjerohet publikut fakti për shpalljen e këndimit të Iso-polifonisë shqiptare si vlerë e trashëgimisë botërore nga UNESKO-ja.

Në edicionin e sivjem të festivalit do të realizohen rreth 40 vepra të autorëve kosovarë, kryesisht vepra të reja me çka “ReMusica” e plotëson synimin e saj themelor – afirmimi i krijimtarisë së kompozitorëve kosovarë të të gjitha gjeneratave.
Në programin e sivjemë përpos solistëve internacional që mbajnë recitalet e tyre si Arnaud Dumond, lutnje (Francë), Steffen Schleirmacher, piano (Gjermani), Branka Parlic, piano (Serbi) me koncertin “Refleksione minimalistike”, ReMusica pasurohet edhe me pjesmarrjen e ansambleve të mëdha korale dhe orkestrale-simfonike, të cilat deri më tash kanë munguar në festivalet tona kosovare.
Kështu do të prezentohen me koncerte të veçanta Filharmonia e Kosovës (20 maj), Kori i Operës maqedone (22 qershor) dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës (17 maj). Krahas këtyre koncerteve edhe paraqitja e ansambleve me renome të rajonit si “Alea” dhe “Trio Pontico” e profilojnë festivalin ReMusica si një manifestim kyq për zhvillimin e jetës muzikore të Prishtinës.

Rafet Rudi, kompozitor