ReMusica - Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës

ReMusica 2002

FATI I MUZIKËS SË RE, FATI I KOMPOZITORIT TË SOTËM, FATI I VEPRËS SË TIJ

Qëllimi themelor i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore “Skena e Re Muzikore e Prishtinës”, që po fillon sivjet në Prishtinë, është që përmes prezentimit të tendencave të ndryshme stilistike, të shfaqura në muzikë nga fillimi i shekullit XX deri në ditët e sotme, të ndikojë drejt popullarizimit të muzikës bashkëkohore dhe, në kuadër ta saj, drejt afirmimit të shprehjes së re në lëmin e artit muzikor.

Kemi shumë arsye që na nxitën të marrim këtë rrugë.

Fati i muzikës së shekullit tonë, në raport me kohën e krijimit të saj, mund të konsiderohet i jashtëzakonshëm, i disfavorshëm për të, dhe ky është fakt të cilin muzika, nga këndvështrimi historik, nuk e ka përjetuar asnjëherë më parë. Në shekujt e mëparshëm ajo jetonte në harmoni të plotë dhe thuaja ideale me kohën. Sapo krijohej ajo plasohej menjëherë në “treg”, andaj nuk ekzistonte nocioni “muzikë moderne” për vetë faktin se tjetër lloj muzike thuaja nuk praktikohej. Koha jonë sjell një fenomen të çuditshëm. Jeta aktuale muzikore në botë, që nga mësimi në shkolla, në akademitë e artit, e deri te praktika koncertale, ose jeta muzikore e projektuar në programet e shtëpive diskografike dhe operistike, është krejtësisht e vërshuar nga muzika e kohërave të kaluara, e cila ka një dominim të plotë – kryesisht ajo e një periudhe dyqindvjeçare (1700-1900). Ta parafrazojmë Witold Lutoslavskin, i cili vëren se: “një dëgjues mesatar i sotëm di, të themi, gjithçka për Bahun, Moxartin ose Çajkovskin, mund të dijë edhe për detajet më të vogla të jetës së tyre, por për të nuk do të thonë asgjë emrat si Ives, Varese apo Stockhausen”…

A do të thotë kjo se për kompozitorin sot parametrat e perceptimit dhe përcaktimit të rëndësisë dhe të bukurisë së gjërave që e rrethojnë janë të tjera?

A do të thotë se depërtimi në thellësitë e botës së muzikës që pëlqen ai sot e bëjnë kompozitorin më të vetmuar?

Përgjigjja gjithsesi do të ishte – po, sikur të mos kishim parasysh se edhe gjatë historisë depërtimet në sferat e reja të artit, zbulimet e “parakohshme”, e kanë vështirësuar gjithmonë pozitën e kompozitorit dhe veprës së tij. Në këtë drejtim fati i kompozitorit sot nuk ndryshon thelbësisht. Ndërkaq, për të mbetet e veçantë, para së gjithash, “mosnjohja” e veprës së tij. Pyetja që ka rrjedhë nga kjo për ne ka qenë e thjeshtë, por edhe qenësore: kush do të duhej ta bënte hapin vendimtar – kompozitori (muziktarët) ose publiku? Pa e zbërthyer këtë dilemë deri në fund ne jemi vendosur që ta bëjmë atë që kemi fuqi dhe që e kemi konsideruar të domosdoshme.

Hapi i parë drejt ndryshimit të pozitës së veprës së kompozitorit modern konsiderojmë se është aktualizimi i veprës së tij dhe, në këtë drejtim, gjetja e formave sa më të mira për këtë aktualizim. Pikërisht nga kjo bindje unë me miqtë e mij Ilir Bajjrin, Zana Shuteriqin, Mendi Mengjiqin, Baki Jasharin dhe Valton Beqirin kemi zgjedhur një rrugë të njohur, por gjithmonë të vështirë – organizimin e një festivali – Festivalit të Muzikës Bashkëkohore SKENA E RE MUZIKORE E
PRISHTINËS.

Ditët e ardhshme do të vërtetojnë nëse kemi zgjedhur rrugën e drejtë.

…Dhe në fund të shprehim kënaqësinë tonë që Ju jeni në sallën ku zhvillohet Festivali i Muzikës Bashkëkohore. Ardhjen tuaj në koncertet tona e konsiderojmë jo vetëm si një akt konkret të përkrahjes së punës sonë, por edhe si bindjen tuaj për të na u bashkuar në rrugën tonë drejt tendencave të reja në art, drejt Muzikës së Re.

Rafet RUDI